Profili Perikli Ikonomi


"Perikli Ikonomi"
Të llojllojshme janë opinionet dhe konsideratat që i mvishen rëndom intelektualit në këtë botë; jetës, punës dhe veprës së tij. Natyrisht, disa dhe mund të jenë vërtetë të drejta, por shumë prej tyre ndodh që janë me dashje përçmuese e denigruese. Pa kërkuar të hyj këtu në polemikë me asnjë rast, unë do konstatoja se intelektuali i vërtetë është bash si ai prifti, i cili me besnikëri, përkushtim të plotë dhe me dashuri i shërben për gjithë jetën e vet altarit të fesë. Të tillë e përfytyroj edhe Perikli Ikonomin, njërin prej intelektualëve iluministë, të gjysmës së parë të shekullit të kaluar .

Në fakt, lidhur me rastin e Perikliut, edhe për nga geni familjar mund të themi se ai kishte trashëguar diçka nga përkushtimi priftëror, mbasi ky intelektual rridhte nga një derë që kishte nxjerrë të paktën dymbëdhjetë breza priftërinjësh. I biri i tij, Sotiri, një qytetar i thjeshtë dhe i nderuar i cili banon në qytetin e Fierit, ndërsa bashkë me një mikun tim historian i kemi vajtur për vizitë në shtëpi, na vë përpara pemën gjenealogjike të familjes, e cila është punuar, gjithashtu, shumë vite më përpara prej vetë babait të tij, Perikliut.
Janë dymbëdhjetë breza priftërinjësh që arrijnë të mbajnë mend në familjen Ikonomi, gjashtë duke filluar numërimin nga më i fundit Papa Pavli (brezi i gjashtë), i ati i Perikliut, dhe duke shkuar tek më i pari, dmth., tek Çaush Prifti (brezi i parë), si dhe gjashtë breza të tjerë priftërinjësh përpara Çaush Priftit. Po kush ishte ky, Çaush Prifti? Ky stërgjysh i familjes Ikonomi ka jetuar aty rreth mesit të shekullit XVIII - të, dhe përveçëse prift, ishte i pari i fshatit Hormovë në Tepelenë. Sipas thënieve, në shtëpinë e tij gjeti mbrojtje nëna e Ali Pashë Tepelenës, Hankoja bashkë me Aliun e vogël, kur u përzunë forcërisht nga prona e tyre që kishin në Tepelenë. Çaush Priftin dhe mardhëniet e Hankos e të Ali Pashës me Hormovën, fatmirësisht i gjejmë të përmendura edhe në faqet e romanit historik, “Ali Pashë Tepelena”  të shkrimtarit Sabri Godo.
 Kur Aliu u rrit dhe u bë prijës i një ushtrie të armatosur, i shkoi në thikë të gjithë burrat e Hormovës, sepse nuk i nënshtroheshin si krahinat e tjera dhe se nuk ia dorëzonin parinë. Ja sesi e përshkruan S. Godo në romanin e tij historik këtë moment. “Fshati i madh (Hormova - shën. P.N) qe grindur tri ditë, se një pjesë nuk e pranonin dëbimin e parisë. Më në fund fshati kërkoi të kuvendonte me Aliun, që të gjendej një ujdi për të dy palët. Ushtarët e fshehur gjatë natës në kodrat me shkurre të forta rreth manastirit e lanë parinë e Hormovës të hynte në avllinë e madhe dhe u turrën aty duke i masakruar të gjithë. Mbajtën gjallë vetëm Çaush Priftin.” (fq. 42). Shkrimtari, megjithëse nuk e përshkruan në romanin e tij vrasjen e Çaush Priftit (ose Dhimitrit, siç quhej ai në të vërtetë), ia lë në dorë lexuesit që të nënkuptojë këtu një vrasje mizore. Ajo që ka për të thënë Sotiri për këtë vrasje i kalon caqet e çdo parashikimi për nga makabriteti. Sipas rrëfimit të tij, Ali Pashai, pasi e shkoi në thikë edhe Çaush Priftin (Dhimitrin) si të tjerët, për të kënaqur sedrën e tij mizore e futi si bagëtinë në hell dhe e vu të piqej në zjarr. Vërtetësinë e pohimeve të tij mbi ngjarjen, Sotiri na e përforcon, duke përmendur vagjet e një kënge të vjetër; “Çaush Prift, Çaush Hormova,/ gjallë në lëmë në hell të shkova,/ gjak e dhjamë t’i kullova,/ besën dot nuk t’a ndërrova.” Pikërisht mbas kësaj ngjarjeje, Papa Jani, i biri i Çaush Priftit (Dhimitrit) bashkë me pasardhësit e tjerë të priftit të Hormovës, shpërngulen përgjithmonë nga vendlindja e tyre, për t’u vendosur kësaj radhe në Vokopolë të Beratit, asokohe një fshat i humbur, vetëm me pesë shtëpi - (shkruhet në një shënim të lënë nga Perikliu), - ku merren në mbrojtje nga Ahmet Kurt Pasha, sundues në këtë rrethinë dhe armik i betuar i Ali Pashës. Sipas shënimeve të lëna nga vetë Perikliu, kjo mund të ketë ndodhur aty rreth vitit 1778. Ndërkohë, familja e Hormovës edhe në vendbanimin e saj të ri do të vazhdonte të ishte derë e përkushtuar me besnikëri ndaj priftërisë. Kohë më vonë, falë zellit dhe meritimeve të tyre në shërbesë, do të fitonin edhe titullin më të lartë të priftërisë, - atë të Ikonomit. Tani e tutje familja Prifti do të fillonte të njihej kudo me mbiemrin e saj të ri: Familja IkonomiNë këtë mjedis familjar, u lind Perikliu, në Vokopolë të Beratit, me 25 mars të vitit 1892.


Shkollimi dhe puna si mësues

Mësimet e para Perikliu i mori në Berat, nga patrioti i shquar Babë Dudë Karbunara (1842 – 1917/ rilindas i shquar dhe themelues i shkollës së parë shqipe në Berat), mandej njohuritë e tij mbi shkencën, shoqërinë dhe jetën do t’i shtonte e prefeksiononte në Korfuz e më vonë në Janinë, në gjimnazin e njohur grek, “Zosimea”, ku kishin studiuar më parë edhe disa figura të tjera të Rilindjes dhe të Iluminizmit shqiptar, ndër të cilat vlen të përmendim dy nga figurat e ndritura të vëllezërve Frashëri; Naimin dhe Samiun. Në këtë shkollë, sipas të birit (në materialin publicistik që munda të siguroj nuk përmendet),  fillimisht ai ndoqi dy specialitete; respektivisht, degën e psikologjisë dhe atë juridike. Në fund të studimeve diplomohet specialist i psikologjisë dhe kthehet në atdhe për t’u bërë kështu, një ndër mësuesit e parë të shquar, në atë kohë kur mësuesit në Shqipëri numëroheshin ende me gishtërinjtë e dorës. Tashmë do të fillonte rruga e gjatë e mësuesisë për Perikliun. Fillimisht emërohet mësues i shkollës së djemve në Berat, ku do të jepte lëndën e gjuhës shipe dhe të leximit. Ishte viti 1916.
Më vonë do të bëhej drejtues i shkollës qytetëse në Berat, ku ushtron profesionin e tij derisa e dërgojnë në një shkollë tjetër në zonat minoritare të jugut të Shqipërisë, në Delvinë. Duke qenë se në këto shkolla mësohej asokohe vetëm greqishtja, mësuesi i ri beratas, insiston që krahas greqishtes nxënësit e kësaj shkolle të merrnin edhe njohuritë e shqipes. Për këtë gjë, siç na thonë familjarët, banorët e zonës minoritare e shpallin antigrek dhe këmbëngulin që qeveria ta largojë. Qeveria e kohës e dëgjon ankesën dhe e dërgon Perikliun të punojë në Kavajë, ku do të rrinte dy vjet. Në vitin 1934, Perikliu përsëri do të lëvizej. Kësaj radhe do të caktohej në Fier drejtues i shkollës femërore të qytetit. Kjo shkollë femërore do të hapej me kërkesën e tij, sepse për të ishte e padrejtë që femrat të mos kishin edhe ato një mundësi ku të arsimoheshin, ndërkohë që për mentalitetin e kohës, ishte akoma shpejt për t’i dërguar të mësonin në të njëjtën shkollë bashkë me djemtë. Në këtë qytet Perikliu do të rrinte deri në fund të jetës.
 Mësuese të stafit të tij pedagogjik të asaj kohe, ishin tri figura të nderuara të arsimit në këtë qytet; Vangjeli Kola, Sotira Kusta, Dhimitra Kushi (nëna e Vojo Kushit). Nga fotografitë e pakta që posedon familja nga ajo kohë, ekziston një foto ku Perikliu ka dalë bashkë me tre koleget e tij të punës dhe me një grup të madh nxënësesh të shkollës. Fotoja është një riprodhim dhe në familje na sqarojnë se kjo foto është bërë aty rreth vitit 1934. Pavarësisht vështirësive të shumta që u dilnin para përhapësve të arsimit shqip në ato kohëra, Perikliu do ta vazhdonte me këmbëngulje dhe përkushtim të plotë punën e tij si mësues për 42 vjet me radhë, derisa të dilte në pension, në vitin 1958, në moshën 66 vjeçare.
Këtij mësuesi të palodhur dhe me një pregaditje shkencore jo të zakontë për ato kohëra, vetëm në vitin 1956, qeveria e kohës do t’i jepte titullin “Mësues i Merituar”. Më pas, Perikliu do t’i kalonte vitet e fundit të pleqërisë në Fier, ku për vite me radhë i kishte shërbyer me aq besnikëri e përkushtim altarit të dijes, pranë familjes dhe miqve të tij të jetës, në heshtjen e zakonshme me të cilën i rrethon zakonisht shoqëria dhe pushteti intelektualet e mirfilltë të punës dhe të studimit, ata inteletualet “priftërinj” që i përmenda më sipër, - derisa u shua përgjithmonë, me 23 maj të vitit 1977.



0 comments:

Post a Comment